“Gjykata e Apelit çmon se nuk mund të bëhet ‘ankim’ nga një palë e cila nuk është ‘palë’ në proces”.

Ky është thelbi i arsyetimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në vendimin e 11 qershorit, që i ktheu ish-kryeministrit Sali Berisha vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Në vendimin e zbardhur Apeli nënvizon se ka mbajtur parasysh udhëzimet dhe orientimet e dhëna nga Gjykata e Lartë, që më dhjetor të vitit të shkuar e ktheu çështjen për rigjykim në Apel.

Në vendimin e tij Apeli vlerësoi të mos pranojë ankimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj, si i autorizuar nga Lulëzim Basha, kundër verdiktit të gjyqtarit të Tiranës Agron Zhukri, të 25 marsit 2022.

Apeli arsyeton se Lulëzim Basha nuk ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për t’u bërë pjesë në pocesin gjyqësor që ligjëroi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 të thirrur nga Berisha.

“Pala ankuese nuk ka legjitimitet substancial për paraqitjen e ankimit, përsa kohë që nuk ka qenë palë dhe nuk ka patur asnjë cilësi proceduriale në këtë proces”, thuhej në vendimin e arsyetuar.

Më tej, referuar dorëheqjes publike të Lulëzim Bashës më21 mars 2022 si kryetar i PD, Apeli nënvizon se kjo datë ka ndërprerë edhe efektet e autorizimit që ai i kishte dhënë Alibeajt për të firmosur në emër të PD në përballjet gjyqësore.

“Me dorëheqjen publike të z.Lulzim Basha në datën 21.03.2022 autorizimi i lëshuar nga ky i fundit për z.Alibeaj ka mbaruar juridikisht dhe nuk ka qenë më i aftë të prodhojë asnjë pasojë juridike”, arsyetonte Apeli.

Sipas Shkallës së dytë, ankimi nuk i plotësonte kushtet formale proceduriale për shqyrtim, pasi është nënshkruar nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim e si i tillë nuk mund të pranohet.

Nga ana tjetër, referuar vendimit të Gjykatës së Lartë, që pranoi rekursin e Komisionit të Rithemelimit, Apeli theksonte se Gjykata e Lartë ka legjitimuar këtë komision si organ përfaqësues të Partisë Demokratike.