Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose u ka bërë thirrje të rinjve për të konsideruar mundësinë për punësim në sistemin e burgjeve.
Me anë të një video të shpërndarë në rrjetin e tij social, Qose tregon se Shqipëria ka nevojë për të rinj dhe të reja të përkushtuar, të cilët janë të gatshëm për të dhënë një kontribut të rëndësishëm për vendin tonë.“Ju drejtohem me një thirrje të veçantë, për të ndarë me ju një mundësi të rëndësishme për të ardhmen tuaj, por edhe për t’ju inkurajuar, që të hulumtoni mundësinë për të punuar me ne në sistemin e burgjeve. Shqipëria ka nevojë për të rinj dhe të reja të përkushtuar, të cilët janë të gatshëm për të dhënë një kontribut të rëndësishëm për vendin tonë. Punësimi në sistemin e burgjeve është më shumë se një punë – është një mundësi për t’i shërbyer një komuniteti ndryshe, e për të ndikuar tek ta për ndryshime pozitive dhe për riintegrim. Përveç mundësisë së një karriere të integruar dhe të frytshme, sistemi i burgjeve ju ofron një paketë të kënaqshme page dhe trajnime të vazhdueshme për të ndihmuar zhvillimin e karrierës tuaj. Për punonjësit me rezultate të larta në testet e pranimit, ne do t’ju ofrojmë, në bashkëpunim me universitetet më të mira në vend, bursa studimi për programet Bachelor dhe Master, duke kontribuar kështu, që ju të arrini ëndrrën tuaj, atë të arsimit të lartë, si dhe të zhvillimit profesional nëpërmjet trajnimit. Nëse të pëlqen ta fillosh tek ne karrierën, siç unë e nisa karrierën time, nëse je i interesuar të fillosh këtë rrugëtim të ri profesional, dhe të kontribuosh për ndryshime pozitive për shoqërinë tonë, mos hezito ta shfrytëzosh këtë mundësi, duke u bërë pjesë e sistemit tonë penitenciar”, thekson Qose.