Për herë të fundit Arben Ahmetaj u shfaq në Kuvend në 6 korrikun e një viti më parë, pak ditë para se të arratisej.

Në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe fshehje të produkteve të veprës pendale, Arben Ahmetaj, zhvishet edhe nga detyra e fundit, e deputetit të partisë socialiste.

Mandati i tij quhet i përfunduar pasi për 6 muaj rresht Ahmetaj mungoi pa arsye në Kuvend.

Gazetarja e Vizion Plus Enkelejda Mema bën me dije se ky parashikim në Kushtetutë i jep të drejtë kryeparlamentares Lindita Nikolla që në nisje të Parlamentit të bëjë me dije përfundimin e mandatit dhe të vë në dijeni Komisionin Qendror të zgjedhjeve për zëvendësimin e Arben Ahmetaj.

Sipas rezultateve të dala nga vota e parlamentareve të 2021-it, mandatin e deputetit e merr Dallëndryshe Bici. Mbetet për tu parë nëse ajo do të lërë detyrën e drejtueses së Kadastrës pas 11 muajsh në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të dokumenteve të pronësisë.

Jo zyrtarish emri më i përfolur për tu ulur në karrigen e deputetit është juristi dhe anëtari i këshillit bashkiak Tiranë, Plarent Ndreca. Për nga sasia e votave të marra ai renditet pas Dallëndyshe Bicit./vizionplus.tv