Ish-ministri Arben Ahmetaj është vënë nën hetim nga Prokuroria e posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mësohet se SPAK ka ngritur 3 akuza kundërt Ahmetajt, atë të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Hetimi ndaj tij është nisur si pasojë e bashkimit të dy procedimeve penale, një nga të cilët është procedim i ndarë nga hetimi i SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Dosja me 21 persona të akuzuar ka shkuar tashmë për gjykim. Por më parë është veçuar një fraksion i saj, ku bëhet fjalë pikërisht për procedurën e ndjekur nga Ahmetaj për dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave të projektit të ndërtimit të inceneratorit dhe dakordësinë e Ministrisë së Financave për ta ndërtuar përmes negocimit pa shpallje.
Kujtojmë se në fillim të muajit, nisi verifikimi pasuror ndaj Ahmetajt. Byroja Kombëtare e Hetimit kreu kontrolle më 9 Mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjtueses aktuale Erjola Hoxha. Kontrollet u zhvilluan pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Sipas procesverbalit u sekuestruan projektet e ndërtimit të 3 vilave, 1 apartamenti dhe 1 shtëpie ekzistuese në Tiranë në zonën e bllokut. Pjesë e dosjes janë bërë edhe projektet e arredimit të tyre.