Ishte minuta e 23-të e ndeshjes dhe gjyqtari bëri një njoftim.

“Penalltia u shqyrtua. Pas vëzhgimit të pamjeve filmike, pati një pozicion jashtë loje. Vendimi: Jo penallti, ofsajd!”

Ky që foli quhet Robin Braun, njeriu që po drejtonte vetëm ndeshjen e tij të tretë në Bundesligën gjermane, por I takoi pikërisht atij që të hynte në histori

Për herë të parë në futboll, një arbitër bëri një njoftim me zë të lartë për një vendim të marrë me ndihmën e VAR-it.

Nuk kishte ndodhur kurrë, dhe jo vetëm në Gjermani, por në asnjë vend të Europës dhe të botës.

Ishte minuta e 23-të e ndeshjes Leverkusen-Hofenhajm dhe vendasit patën pretendime për 11-metërsh për një ndërhyrje në zonë.

Arbitri Braun fillimisht e akordoi penalltinë, por pasi u ndihmua nga teknologjia, kuptoi se kishte qenë fillimisht pozicion jashtë loje.

Përsa I përket ndeshjes, kampionët fituan 3-1 me gola të shënuar nga Bonifejs e Frimpong në pjesën e parë dhe nga sulmuesi çek, Patrik Shik pas pushimit.

Hofenhajmi thjesht shkurtoi diferencën gjysmë ore përpara fundit.

Kjo ishte fitorja e 9-të e Leverkusenit në 10 ndeshjet e fundit të Bundesligës, dhe skuadra e trajnerit Shabi Alonso duket se e ka marrë veten pas fillimit të ngadalshëm të sezonit.

Diferenca me vendin e parë, Bajernin, është 6 pikë pas 20 javësh, pra gara për titullin do të vazhdojë./abcnews.al