Habib Rexha, 31-vjeçari i cili vrau Arian Gosën dy ditë më parë në qytetin e Kavajës, u vetëdorëzua ditën e sotme në polici. Gosa kishte filmuar dhe një video ku shfaqej së bashku me të atin dhe tregonte që do të dorëzohej në komisariat me dëshirën e tij, pas kërkesës së të atit. Rexha ka dëshmuar në polici se më datën 21 maj, ai ka qenë rastësisht në zonën ku ka qenë dhe 48-vjeçari Gosa.

Autori ka qenë së bashku me një shok, për të cilin ka thënë se nuk ka pasur dijeni mbi situatën, por pasi ka vërejtur Arian Gosën me të atin, kanë parkuar makinën dhe është nisur drejt lokalit dhe në gjaknxehtësi ka kryer krimin.

Habib Rexha: Isha përballë kafenesë, në një kancelari, kur kam parë Arian Gosën në kafene me babain e tij. U largova 300-400 metra, parkova makinën dhe u nisa në drejtim të lokalit në këmbë. Nuk isha duke e ruajtur. E pashë rastësisht dhe veprova nga gjaknxehtësia. Krimin e kreva pa e menduar, e pashë dhe e vrava. Në makinë isha me një shokun tim.

Më pas, Rexha tregon që është larguar fillimisht drejt Durrësit dhe pastaj në Kukës.

Dhe po me shokun jam larguar në fillim drejt Durrësit e më pas në Kukës. Vendosa të vetëdorëzohesha me kërkesë të babait tim në bashkëpunim me policinë.

Sipas pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë në zonë, Habib Rexha me kapele dhe i veshur sportiv është afruar në tavolinë dhe e ka qëlluar me një plumb pistolete në koke e më pas është larguar në këmbë.

Më datën 29 mars, vëllai i Habib Rexhës dhe Arian Gosës, Sali Rexha dhe Armand Gosa vranë njëri-tjetrin, pas konflikteve të përsëritura.

Gosa e ka qëlluar me thikë ndërkohë që Rexha i është kundërpërgjigjur 3 herë me armë zjarri. Rexha ka vdekur në vend ndërsa Gosa ka lëvizur rreth 30 metra dhe më pas është rrëzuar.