Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Arktik, 38 gradë Celsius është konfirmuar zyrtarisht, duke bërë që të bien “këmbanat e alarmit” lidhur me ndryshimin e klimës në Tokë.

Organizata Botërore e Metereologjisë, WMO e konfirmoi rekordin e raportuar në qytetin siberian të Verkhoyansk në 20 qershor.

Kjo temperaturë është 18 gradë Celsius më e lartë se maksimumi mesatar ditor i zonës për atë muaj.

WMO, një agjenci e OKB-së, tha se një nxehtësi e tillë ekstreme “i përshtatet më shumë Mesdheut sesa Arktikut”.

Është hera e parë që agjencia përfshin Rrethin Arktik në arkivin e saj të raporteve të motit ekstrem.

WMO thotë se 38 gradë Celsius u matën në një stacion meteorologjik gjatë “një vale të jashtëzakonshme dhe të zgjatur të nxehti siberian”.

Nxehtësia ekstreme e vitit të kaluar në rajon kontribuoi në përhapjen e zjarreve, të cilat përfshinë pyjet dhe toka të Rusisë veriore duke lëshuar një sasi rekord karboni.

Edhe pse të zakonshme në muajt e verës, temperaturat e larta dhe erërat e forta i bënë zjarret jashtëzakonisht të rënda.

Temperaturat e larta në të gjithë Siberinë çuan gjithashtu në “humbje masive të akullit të detit” dhe luajtën një rol të madh gjatë vitit 2020 , që konsiderohet si një nga tre vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë.