Kryesia e Partisë së Lirisë ka bërë publik qëndrimin e saj pas mbledhjes së ditës së sotme, e cila u thirr pas arrestimit të kryetarit të kësaj force politike, Ilir Meta.

Në qëndrimin e saj, PL ka dënuar arrestimin e Metës, duke e cilësuar atë si arrestim politik dhe akt të rëndë kriminal.

Po ashtu PL ka bërë me dije se do të vijojë aktivitetin politik nën drejtimin e Metës, pavarësisht gjendjes së tij juridike.

Qëndrimi i Kryesisë së PL:

QËNDRIM I KRYESISË TË PARTISË SË LIRISË

Kryesia e Partisë së Lirisë, e mbledhur sonte më datë 21 tetor 2024, shpreh qëndrimin e saj, si më poshtë vijon:
1. Dënon me ashpërsinë më të madhe aktin shumë të rëndë kriminal terrorist të rrëmbimit dhe arrestimit politik, në mënyrë jo ligjore, të dhunshme dhe në shkelje të hapur të dinjitetit njerëzor dhe qytetar të një figure të lartë publike, si ish-Kryeministri, ish-Kryetari i Kuvendit, ish-Presidenti i Republikës dhe Presidentit aktual të Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta.

2. Ky akt terrorist kriminal i urdhëruar nga Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste dhe i vënë sot në zbatim nga struktura kriminale terroriste SPAK, konfirmon atë që kemi denoncuar prej kohësh se në Shqipëri ka rënë shteti ligjor dhe se sistemi i drejtësisë është i kapur për fyti dhe funksionon sipas një regjie, vetëm për llogari të interesave elektorale dhe politike të Narkoshtetit dhe Edi Ramës.

3. Arrestimi politik i Presidentit të Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta, pa fakte, pa prova dhe pa dëshmi konfirmon se drejtësia nuk funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe të së drejtës, por mbi bazën e urrejtjes, hakmarrjes primitive, urdhrave politikë dhe metodave policeske të një shteti diktatorial.

4. Edi Rama dhe Altin Dumani, me aktin e sotëm terrorist kanë kaluar vijat e kuqe duke i shpallur luftë të hapur opozitës, me qëllim asgjesimin e saj, të pluralizimit politik dhe demokracisë.

5. Presidenti i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta është sot i burgosur politik për shkak të qëndrimeve të tij shumë të drejta institucionale, politike, patriotike dhe qytetare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, të çështjes së Detit dhe të mbrojtjes së pakompromis të kufijve të Kosovës, si dhe për shkak të denoncimit të pakompromis të inkriminimit dhe korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës, Narkoshtetit dhe Narkodrejtësisë.

6. Kryesia Politike e Partisë së Lirisë duke shprehur solidaritetin e plotë me Presidentin e burgosur politikisht, z.Ilir Meta, vijon aktivitetin politik nën drejtimin e Tij pavarësisht gjendjes së Tij juridike.

7. Partia e Lirisë është e vendosur të intensifikojë shumëfish aksionin e saj politik dhe në terren për denoncimin e krimeve dhe korrupsionit skizofrenik të Narkoshtetit, për t’i ofruar një alternativë mirëqeverisjeje, të drejtë e humane të gjithë shqiptarëve nëpërmjet 5 Prioriteteve të saj për 4 milion shqiptarë plus.