Këshilli i Mandateve është mbledhur në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, që kërkon dhënien e autorizimit për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha.

Kreu i Foltores prej javësh refuzoi të paraqitej pranë policisë gjyqësore, me argumentin se masa ndaj tij ishte marrë duke anashkaluar Kuvendin dhe ai nuk e njihte një vendim anti kushtetues.

Vetë Berisha, paralajmëroi pak më parë se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen ku diskutohet heqja e imunitetit të tij.

Edhe pse grupin e deputetëve e kishte kundër, Berisha ka thirrur protestë tek kryesia e Kuvendit në të njëjtën orë që mbahet Këshilli për Mandatet dhe Imunitetin për arrestimin e tij.

Ish kryeministri është nën hetim nga SPAK për dosjen “Partizani”, nga privatizimi i të cilit, sipas prokurorëve, dhëndri i Berishës përfitoi 5 milionë euro.

Për këtë, lideri i Foltores u vu nën hetim nën masën detyrim paraqitje dhe mos dalje jashtë vendit, por Berisha nuk iu bind me argumentin e kishte imunitet.

Pas 3 mosparaqitjesh pranë SPAK, prokurorët kërkuan një masë më të ashpër ndaj tij, me arrest në burg, apo shtëpiak.

Kuvendi ka parashikuar ditën e martë për të votuar heqjen e imunitetit të Sali Berishës.