Polciia ka arrestuar 3 persona, të cilët falsifikonin kartmonedha 50 dollarëshe dhe i hidhnin në treg në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Bëhet me dije se në pranga kanë rënë Viard Kotori, Etmond Dokushi dhe Ervin Kamolli, të cilët akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i monedhave”, kryer në bashkëpunim, teksa janë sekuestruar 3650 dollarë të falsifikuar.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “50 Dollars”.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.

Hidhnin në treg kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, vihen në pranga 3 shtetas. 

Sekuestrohen sasi të konsiderueshme të kartëmonedhave të prerjes 50 dollar, të dyshuara të falsifikuara, dhe një automjet.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pas një punë te mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, hidhnin në qarkullim nëpër subjekte të ndryshme tregtare, kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “50 Dollars”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve: 

– V. K., 29 vjeç, banues në Tiranë, E. D., 32 vjeç, banues në Kavajë, dhe E. K., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet kanë hedhur në qarkullim nëpër subjekte të ndryshme tregtare, në Tiranë dhe në qytete të tjera, kartëmonedha të prerjes 50 dollar.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.  

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.