DVP Lezhë
Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për parandalimin e ngjarjeve kriminale në ditët festive dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mesnata”
Qarkullonin me armë zjarri kallashnikov në automjet, vihen në pranga drejtuesi dhe pasagjeri i mjetit.
Sekuestrohet 1 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 1 automjet dhe 2 aparate celularë.
Në zbatim të planit të masave, për rritjen e prezencës së shërbimeve policore në territor, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, trafiqeve të paligjshme, kapjen e personave në kërkim apo të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, shërbimet e Policisë kanë shtuar kontrollet në akse rrugore dhe në qendra të banuara.
Bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në automjet është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Mesnata”, në kuadër të të cilit Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë, në bashkëpunim më Komisariatin e Policisë Lezhë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit”, kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin e dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Range Rover”, me drejtues shtetasin Astrit Shekaj., dhe pasagjer shtetasin Armando Vulaj, në bagazhin e këtij automjeti është gjetur një armë zjarri automatik me krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A.Sh., 37 vjeç dhe A.V.,27 vjeç, banues në Malësi të Madhe, të dy të dënuar më parë për trafikim të lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit “.