Fatjon Bruçi (alias Fatjon Bruci) është vënë në pranga nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit “Identikiti”.
29-vjeçari nga Shkodra konsiderohet shtetas me rrezikshmëri shoqërore të lartë, i implikuar në një sërë veprimtarish kriminale.
Më datë 29 gusht 2025, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti, ai tentoi të vidhte në një argjendari në Shkodër.
Në momentin e ndalimit, 29-vjeçari kishte me vete sasi Cannabisi. Ndërsa në banesën që kishte marrë me qira në Tiranë me qëllim fshehjen, mbante pa leje, 1 armë zjarri pistoletë.
Gjithashtu, në këtë banesë u gjetën 2 maska silikoni, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike, si dhe 550 dollarë (kartëmonedha false).
Policia ka arrestuar dhe dy persona të tjerë për përpkrahje të 29-vjeçarit.
Xhonatan Deliu dhe Enri Elezi, ndodheshin në automjet me Bruçin në momentin e ndalimit.
“Drejtuesi i automjetit, shtetasi Fatjon Bruçi alias Fatjon Bruci u vu në pranga sepse Gjykata e Shkodrës më datë 30.09.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas është autor i tentativës për të vjedhur në një argjendari, në lagjen “Vasil Shanto”, ku hyri më datë 29.08.2025, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti.
Gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa. Më tej, gjatë kontrollit në banesën që kishte marrë me qira, në Tiranë, u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 2 maska, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike, 550 dollarë (kartëmonedha false), shumë lekësh dhe aksesorë, të cilat u sekuestruan së bashku me 2 automjete dhe me 1 celular”, njofton policia.