Një 30-vjeçar i identifikuar si Armir Lleshi është arrestuar nga policia pasi ka kërcënuar me thikë dy motrat e tij dhe babanë.

Policia bën me dije se ai ushtronte dhunë fizike të vazhdueshme ndaj tyre ndërsa i kërcënonte me mjet prerës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i policisë

Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale në familje.

Ushtroi dhunë fizike ndaj dy motrave e babait të tij, dhe i kanosi ato me mjet prerës (thikë), arrestohet në flagrancë 30-vjeçari.

Sekuestrohet mjeti prerës (thika), i përdorur për kanosjen.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas kallëzimit të marrë nga shtetasja Z. T., se vëllai i saj ushtronte dhunë fizike në mënyrë të vazhdueshme ndaj saj, dhe familjarëve, si dhe i kishte kanosur ato me mjet prerës (thikë), menjëherë kanë organizuar punën, duke kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, vëllain e saj, shtetasin A. Ll.

Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ll., pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj dy motrave dhe babait të tyre, dhe i ka kanosur dhe kërcënuar ato me mjet prerës thikë.