Arrestimi i vëllezërve Beqiraj dhe zbërthimi i tyre para hetuesve zbuloi disa ngjarje të rënda kriminale.

Operacioni “Porositësi” më 4 tetor solli arrestimin e 14 personave, mes tyre dhe vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj.

Sot (15 tetor) Zenaldo Mamaqi, 32 vjeç është arrestuar nga policia e Durrësit në kuadër të po të njëjtit operacion.

Ai akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Sipas burimeve të ABC, Mamaqi u shiste armë vëllezërve Beqiraj, të cilat përdoreshin për vrasjet me pagesë.

Me arrestimin e tij, ka shkuar në 15 numri i personave të vënë në pranga.

Abc mëson se Zenaldo Mamaqi është kushëriri i të ndjerit Sokol Olldashi dhe është një emër i njohur për policinë.

Herën e fundit është arrestuar pasi përplasi një polic me dashje me makinë. Arben Luci ishte polici që u përplas nga Mamaqi pasi i kishte ngritur tabelën për të ndaluar.

Ndërsa në 2009, kur ka qenë vetëm 17 vjeç, Zenaldo Mamaqi ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë Besart Islamaj, 18 vjeç në atë kohë, banues në Durrës.

Ndërkohë të shpallur në kërkim janë: Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, Agron Bejdolli, Aleksander Laho alias Pellumb Muharremi, Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti, Alban Skonja.

Sakaq Kasander Noga është arrestuar në Belgjikë.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Vijon operacioni policor i koduar “Porositësi”, shkon në 15 numri i të arrestuarve në kuadër të tij.

Vihet në pranga 1 shtetas, i dyshuar i përshirë në veprimtarinë kriminale të armëmbajtjes pa leje, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të operacionit “Porositësi”, mbështetur me inteligjencë operative, bënë të mundur ndalimin e shtetasit:

-Z. M., 32 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore rezulton se 32-vjeçari është autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Operacioni policor “Porositësi” u finalizua nga DVP Durrës, më 4 tetor 2022 dhe rezultoi me zbardhjen e një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, vënien në pranga të 14 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 5 të tjerëve. DVP Durrës vijon intensivisht punën për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

/Abcnews.al/