Një 34-vjeçar është vënë në prangat e policisë së kryeqytetit pasi është kapur me armë zjarri me vete.

Uniformat blu bëjnë me dije se gjatë kontrollit të mjetit të shtetasit Ivi Kola, është gjetur një armë zjarri, një krëhër me municione luftarake dhe dy thika.

Ndërkohë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Monday”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 34-vjeçari.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një krëhër me municion luftarak dhe dy mjete presëre (thika).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas po lëvizte me armë zjarri në automjet, në Rrugën e Kavajës, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Monday”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– I. K., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjatë kontrollit të mjetit që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një krëhër me municion luftarak dhe dy mjete prerëse (thika).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.