Erion Trifoni, një 36 vjeçar nga Fier i shpallur në kërkim për kanosje, është arrestuar nga Policia e Lushnjës. Ky shtetas ka kërcënuar përmes telefonit dhe fizikisht një grua nga Tirana.

Referuar njoftimit zyrtar, bëhet me dije se Trifoni iu dorëzua shërbimeve të Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, mbetur në tentativë dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Shënimi i plotë i Policisë së Fierit:

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë policore për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 3 Tiranë, shërbimet e Policisë Lushnjë bënë kapjen e shtetasit E. T., 36 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas, ka kanosur në mënyrë të përsëritur shtetasen G. V., nëpërmjet thirrjeve telefonike. Në datën 17.05.2022, në Rrugën e Barrikadave, Tiranë, në ambientet e biznesit të kësaj shtetaseje, me anë të kanosjes dhe dhunës fizike, i ka kërkuar asaj një shumë parash.

Shtetasi E. T. iu dorëzua shërbimeve të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, mbetur në tentativë dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.