Në Gjermani, është ngjarje dite: në kulmin e luftës ruse kundër Ukrainës, një punonjës i shërbimit gjerman të kundërzbulimit mendohet të ketë spiunuar për Moskën.

Teksa përmasat e rastit po rriten, një tjetër person ka përfunduar në pranga.  Pas ndalimit të punonjësit të Shërbimit Federal të Informacionit (BND) për spiunazh në favor të Rusisë, tani edhe një tjetër individ që dyshohet si bashkëpunëtor i tij është vënë nën arrest.

Sipas të dhënave të Prokurorit Të Përgjithshëm Federal në Karlsruhe punonjësi i BND-së dyshohet të ketë përcjellë informacione sekrete në Rusi duke ia dorëzuar ato atje një shërbimi sekret. Punonjësi i BND-së, Carsten L. u arrestua më 21 dhjetor në Berlin i dyshuar për tradhti ndaj atdheut.

I dyshuari si bashkëpunëtor i tij, i identifikuar si Arthur E. është nënshtetas gjerman, por jo punonjës i BND-së. Ai u prangos pas mbërritjes nga SHBA në aeroportin e Mynihut. Tradhëti ndaj atdheut është akuza që mund të rëndojë edhe ndaj tij. Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann e konsideroi këtë një goditje të rëndësishme kundër spiunazhit rus, në rast se dyshimi do të konfirmohet.

“Me Rusinë në anën kundërshtare kemi të bëjmë me një aktor, “të paskrupullt dhe të gatshëm për dhunë”, thanë zyrtarë vendas. Tradhtia ndaj atdheut sipas kodit penal mund të ndëshkohet në raste të rënda me heqje lirie deri në të paktën pesë vjet ose edhe me dënim të përjetshëm.

Top Channel