Ish-kryetari i Dhomës së Avokatëve në Korçë, Arben Lena, është arrestuar nga policia nën akuzën për marrje ryshfeti dhe përvetësim të pasurisë nëpërmjet mashtrimit.
Në bazë të kallëzimit të bërë nga një 70-vjeçar i dënuar dhe i burgosur në Shën Koll, Lena dyshohet se ka tërhequr në mënyrë të paligjshme shuma parash nga llogaria bankare e tij, duke përdorur një prokurë përfaqësimi që i ishte dhënë më parë për çështje ligjore.
Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën 2020–2022, avokati dyshohet se ka tërhequr shuma të konsiderueshme nga llogaria bankare e klientit, duke përdorur një prokurë që i ishte dhënë me besim, në rrethana që lidhen me gjendjen shëndetësore të rënduar të këtij të fundit.
Hetimet janë ndërmarrë nga sektori i krimit ekonomik në Policinë e Korçës dhe kanë çuar në vendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për ish-zyrtarin e lartë të avokatisë.
Prokuroria po vijon verifikimet për të zbuluar nëse avokati ka kryer veprime të ngjashme edhe me klientë të tjerë./vizionplus.tv