Një trafikant maltez i cili ishte i lidhur me klanet siciliane është arrestuar këtë fundjavë pas një urdhër arresti e lëshuar nga prokuroria e Katanias shoqëruar edhe kërkesën për ekstradim.

Gjatë seancës së parë, e cila u mbajt dje, gjyqtarët refuzuan kërkesën për lirim me kusht dhe shtynë seancën gjyqësore për në datën 20 qershor për të vendosur mbi ekstradimin e tij.

56-vjeçari i quajtur John Spiteri dhe i njohur ndryshe si ‘Gianni’, kërkohet në Itali për krijim të një grupi të strukturuar kriminal të stilit mafioz që trafikonte kokainë dhe marihuanë.

Në vitin 2021, trafikanti maltez ishte pjesë e grupit prej 21 personave që u arrestuan në Itali në kuadër të ‘Operacionit La Vallette’ kundër një organizate kriminale që trafikonte drogën nga Shqipëria dhe Bullgaria për në Siçili dhe Maltë.

Gjatë operacionit, i cili në atë kohë u krye nga mbi 100 agjentë të Guardia di Finanzas u sekuestruan gjithsej 430 kilogramë kanabis, hashash dhe kokainë, shkruajnë mediat italiane. 

Sipas hetuesve italianë dhe nisur nga përgjimet e tyre rezulton se Spiteri ishte lidhur me italianin Rosario Amico për të organizuar trafikun e drogës nga Pulia në Maltë midis viteve 2018 dhe 2019 me një makinë me targa malteze që drejtohej fizikisht nga një tjetër maltez, bashkëpunëtori i Spiterit, 55-vjeçari Fabian Catania, i akuzuar për trafik droge në vitin 2018 dhe bashkë me shqiptarin Eriseld Hoxhaj, i njohur si ‘Riku’.

Për të shmangur ekstradimin, mbrojtësi i Spiterit vuri në dukje se krimet e tij në Maltë rrezikon burgim të përjetshëm, ndërsa në Itali ai mund të dënohet me vetëm 24 vjet për grup të strukturuar kriminal dhe 13 vjet për trafik droge.

Ardit Murataj