Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës ka konfirmuar sot se është arrestuar Nenad Neshiq, ministër i Sigurisë.

Ai u arrestua si rezultat i një hetimi të kryer nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës së bashku me Drejtorinë për Krimin e Organizuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republika Srpskas më 26 dhjetor, në rastin e krimeve të korrupsionit, së bashku me katër persona të tjerë.

Prokuroria tha se ata akuzohen për pastrim parash, shpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Pas arrestimit të tij, kreu i Republika Srpskas, Millorad Dodik tha se arrestimi është një përpjekje për të destabilizuar Republikën Srpska.

“Procedurat e nisura nga Prokuroria e BeH kundër ministrit të Sigurisë së BeH, Nenad Neshiq janë krejtësisht të papranueshme. Kjo mënyrë e punës paraqet persekutimin e kuadrove nga Republika Srpska me qëllim të destabilizimit të saj. Zyra e Prokurorit të Bosnjë-Hercegovinës tregon se është bërë një instrument i disa ambasadave të huaja dhe publikut politik të Sarajevës për t’u marrë me Republikën Srpska. Nëse ka dyshime se ka pasur veprime të kundërligjshme, ajo procedurë duhet të bëhet në përputhje me ligjin, e jo të kthehet në spektakël mediatik dhe show për publikun”, ka thënë Dodik.

Top Channel