Policia e Tiranës njoftoi ditën e djeshme se kishte arrestuar në Tiranë një të shumëkërkuar të drejtësisë spanjolle.

Arrestimi i tij ishte i treti në radhë këtyre ditësh me urdhër të drejtësisë spanjolle, të cilët po kërkojnë të akuzuarit e tyre pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së ekstradimit mes dy vendeve tona.

Kështu policia njoftoi se Nikolin Janina, biznesmeni shqiptar, i njohur si bosi i dyqanit “Porcelanosa”, me akuza si trafikant droge është arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimi në Spanjë.

Ai akuzohet nga autoritetet spanjolle se ka qenë drejtues i një grupi kriminal me përbërje spanjollë dhe turq, të cilët trafikonin sasi të ndryshme heroine, morfinë dhe opiumi në disa shtete të Europës.

Arrestimi është bërë së fundmi për shkak se nuk ka shumë kohë që ka hyrë në fuqi marrëveshja e ekstradimit të Shqipërisë me Spanjën. Duke qenë se kjo marrëveshje nuk ekzistonte atëherë edhe Janina rrinte i lirë në Shqipëri.

Referuar të dhënave të Policisë dhe të Prokurorisë bëhet me dije se Janina në vendin tonë iu kishte shpëtuar disa herë gjykimeve dhe sekuestrimit të pasurive, ndonëse ishin lëshuar disa herë urdhërsekuestro. Sipas të dhënave, Prokuroria kërkoi bllokimin e pasurive që kapnin shifrën e 4 milionë eurove por që më pas ky urdhër u hoq dhe pasuritë e tij vijuan të ishin të lira.

Dyqanet në pronësi të tij të materialeve të ndërtimit “Porcelanosa” janë të shtrira në gjithë vendin dhe për shumë vite ai ka qenë një nga më të lakmuarit edhe në fushën e arredimeve të shtëpive dhe bizneseve të ndryshme. POLICIA “Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’.

Shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, bënë kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, të shtetasit: N. J., 56 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi”, ka njoftuar Policia. Janina ishte pronar i kompanisë “Porcelanosa”, që fillimisht iu sekuestruan pasuritë por më pas me vendim gjykate sekuestroja u tërhoq.

Në vitin 2018, Gjykata e atëhershme e Krimeve të Rënda urdhëroi të lirojë nga sekuestroja pasuritë e biznesmenit Nikolin Janina, që administronte kompaninë e njohur “Porcelanosa”. Është konkluduar se biznesmeni justifikonte pasurinë e tij, prej disa miliona euro.

AKUZAT NDAJ JANINËS

Biznesmeni i njohur, Nikolin Janina, dyshohet nga drejtësia e vendit Iberik si lideri i një grupi kriminal. Sipas të dhënave që kanë ardhur në drejtim të vendit tonë, që i publikon Policia, ai dyshohet se në grupin e tij operojnë shtetas nga Spanja dhe Turqia, të cilët në bashkëpunim trafikonin sasi të ndryshme heroine, morfinë dhe opiumi në disa shtete të Europës.

Të dhënat nuk bëjnë me dije se në cilat shtete e kanë passur aktivitetin personat e përfshirë në këtë grup por policia spanjolle thuhet se ka sekuestruar një sasi të madhe të lëndëve narkotike.

Hetimet kanë vënë në qendër shqiptarin ndërkohë që thuhet se në kuadër të këtij grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga biznesmeni i pllakave dhe hidrosanitareve, Policia dhe prokuroria spanjolle, ka sekuestruar një sasi prej 53 kg e 380 gramë heroinë.

Në datën 21 shkurt 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Tiranës, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e pasurisë së këtij biznesmeni.

Përgjatë 5 muajve janë kryer dhjetëra veprime hetimore, nga të cilat janë përfituar të dhëna të dobishme për hetimin, që më pas kanë çuar prokurorinë e Krimeve të Rënda t‘i drejtohet me një kërkesë gjykatës, për vendosjen e masës së sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme të biznesmenit Nikolin Janina. Por që më pas, vendimi për sekuestro të pasurisë së tij u hoq po me vendim gjykate./panorama