Një shtetas nga Mirdita është arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia, pasi tokën pranë shtëpisë së tij e kishte mbjellë me hashash. Gjithashtu, nga një kontroll në shtëpi i janë gjetur 4 kallëpe tritoli.

“Bazuar në informacione policore të administruara në rrugë operative për një shtetas që kishte kultivuar bimë narkotike në afërsi të banesës së tij, si dhe mbante lëndë plasëse shpërthyese, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë është finalizuar operacioni policor i koduar “Domgjoni”.

Si rezultat i këtij operacioni është arrestuar në flagrancë shtetasi D. L., banues në fshatin Domgjon, Mirditë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.

Arrestimi i shtetasit D. L. u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në tokën në pronësi të tij, në afërsi të banesës, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient tjetër në afërsi të banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 4 kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.