Pronari i një hoteli në autostradën Tiranë-Durrës, u arrestua nga policia pasi ndihmonte emigrant të paligjshëm që të kalonin kufirin.

Policia njofton se në pranga është vendosur Sabah Jemishta, 60 vjeç, pronari i një hoteli. Sipas uniformave blu, në hotelin e tij u kapën të strehuar 14 emigrantë të paligjshëm.

Kundrejt pagesës, ai i ndihmonte emigrantët për transportin e tyre në pikat e kalimit kufitar me Malin e Zi, me qëllim kalimin më pas në vendet e BE-së.

Nën hetim është vendosur dhe menaxheri i hotelit, shtetasi me iniciale V.H. 56 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Finalizohen, gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione policore, të koduara “Camouflage 9” dhe “Camouflage 10”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Operacionet u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Vorë.

Gjatë operacionit policor të koduar “Camouflage 9” u arrestua në flagrancë 1 shtetas dhe u procedua penalisht 1 tjetër, të cilët strehonin 14 emigrantët, në ambientet e një hoteli, dhe më pas i ndihmonin për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Gjatë operacionit policor të koduar “Camouflage 10”, u arrestua në flagrancë 1 shtetas që ndihmonte 4 emigrantë, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Procedohen penalisht edhe 18 emigrantët e paligjshëm.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e kalimit të paligjshëm të kufirit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionet policore të koduara “Camouflage 9” dhe “Camouflage 10”.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Camouflage 9” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– S. J., 60 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Fshehja e të ardhurave” (pronar i një hoteli në rrugën dytësore Tiranë-Durrës).

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi V. H., 56 vjeç, banues në Tiranë (menaxher në hotel).

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, strehonin emigrantë të paligjshëm në ambientet e hotelit të shtetasit S. J., kundrejt shpërblimit monetar, dhe më pas kryenin transportin e tyre për në pikat e kalimit kufitar me Malin e Zi, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.

Vijon…