Ish-zv.drejtori i OFL-së, Artan Shkëmbi i ka shpëtuar përballjes me Prokurorinë e Posaçme SPAK. Ka qenë kjo e fundit ka hequr dorë nga hetimi i aktit të dekonspirimit të hetimit të autoriteteve gjermane nga zyrtari i lartë i policisë shqiptare.
Burime nga prokuroria thanë se SPAK ka përfunduar veprimet hetimore dhe ka konkluduar se ish numri dy i OFl-së ka kryer vetëm veprën e nxjerrjes së sekretit por pa arritur të provojë kryerjen e veprave të tjera penale të dyshuara si korrupsioni apo bashkëpunimi me grupin kriminal.
Në këto kushte, SPAK ka vendosur t`ia delegojë për kompetencë prokurorisë së tiranës dosjen me akuzën e vetme për nenin 295/a të kodit penal që bën fjalë për veprën zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete ku parashikohet një dënim nga një deri në 5 vjet heqje lirie.
Tashmë dosja do të shqyrtohet nga Prokuroria e Tiranës ndërkohë që hetimi për ish numrin 2 të OFL-së në policinë e shtetit filloi pas denoncimit të autoriteteve gjermane.
Në denoncimin e dërguar në Tiranë ata shprehen se hetimi ndaj dy shqiptarëve të akuzuar për trafik kokaine me iniciale K.V dhe A.P, është dekonspiruar nga policia shqiptare. Policia gjermane në datën 19 mars 2020 përmes oficerit të kontaktit ka sjellë në zyrat e policisë shqiptare kërkesën për verifikimin e pasurive të dy shqiptarëve me qëllim identifikimin e aseteve që ata kishin në Shqipëri.
Autoritetet gjermane nënvizonin se hetimi ishte tepër sekret dhe kërkonin që nëse rrezikohej dekonspirimi, pala shqiptare të mos kryente asnjë veprim. Por ndërkohë që pala gjermane kërkonte konfidencialittet, pikërisht dokumenti i dërguar prej tyre për verifikimin e pasurive ka mbërritur në telefonin e të hetuarit K.V. në datë 10.04.2020 rreth orës 16:00,.
Përveç kërkesës në fjalë, shtetasit K.V. i janë përcjellë edhe fotot e tij dhe të personit tjetër nën hetim A.P., së bashku me të dhënat e nxjerra nga sistemi Deep See, i policisë së shtetit.
Nga hetimi i filluar nga SPAK pas denoncimit të autoriteteve gjermane është evidentuar fakti se i vetmi person që ka loguar në sistemin Deep See në datë 10.04.2020 është ish-nëndrejtori i OFL Artan Shkëmbi.
Ora news