Punësimi në administratë ka qenë i lakmuar vit pas viti nga një numër jo i vogël individësh si një formë më komode sesa puna në privat.

Kjo tendencë shënoi rritje edhe në vitin 2022 në raport me vitin 2021 kur numri i aplikantëve për një pozicion të lirë të shpallur pësoi rritje.

Të dhënat për vitin 2022, tregojnë se ka patur mesatarisht rreth 17.9 aplikime për pozicion, bazuar në 19173 aplikime në total, për 1070 pozicione të shpallura. Ndërkohë në vitin 2021 kjo mesatare ishte 15.

Departamenti i Administratës Publike vëren se numri mesatar i aplikantëve sipas llojit të procedurës për vitin 2022 rezulton si vijon: procedura e pranimit në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive – 19.9; procedura e lëvizjes paralele – 2.3; procedura e ngritjes në detyrë – 2.3; procedura e pranimit nga jashtë shërbimit civil në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese – 3.29.

Por situata e punësimit, ashtu si në tërësi në tregun e punës në vend, është shfaqur e komplikuar edhe për administratën.

Teksa tendenca e atyre që duan ti bashkohen administratës ishte në rritje në vitin 2022 duket se në kontrast ka qenë e atyre që ishin pjesë e saj dhe janë larguar.

Vendesh bosh më të shumtat janë vënë re në kategorinë ekzekutive që është niveli më i lartë në administratë teksa në kategorinë e mesme dhe të ulët vakancat kanë qenë më të ulëta.

Planifikimi për vakanca në nivel ekzekutiv ishte për 604 pozicione në administratë por në finale kanë rezultuar 788 shpallje.

“Kjo tendencë për të shpallur më tepër vende se plani vihet re ndër vite dhe nga analiza e të dhënave që Departamenti i Administratës Publike administron, rezulton se arsyeja e shpalljes së këtyre pozicioneve është krijimi i vakancave të paplanifikuara, të krijuara rishtazi gjatë vitit 2022 si pasojë e dorëheqjeve të 260 nëpunësve civil nga institucionet e administratës shtetërore.

Përpos kësaj, natyra dhe zhvillimet brenda shërbimit civil janë të tilla që kërkojnë përshtatje të herëpashershme sa i takon nevojave të burimeve njerëzore, çka e vështirëson edhe më shumë respektimin rigoroz të numrit të planifikuar për vende vakante.

Me qëllim përmirësimin e procesit të planifikimit vjetor të nevojave për rekrutim, u miratua nga DAP udhëzimi përkatës i cili unifikon dhe përmirëson procesin e planifikimit nga njësitë e burimeve njerëzore” thuhet në raportin vjetor të DAP.

As administrata nuk gjen dot punonjës

Disa pozicione pune që duan specializim në një fushë të veçantë kanë qenë të vështira për t’u plotësuar edhe në administratë.

Ky është një ngërç për të cilin tashmë prej disa vitesh është vënë alarmi ku degë të ndryshme në universitete po mbeten pa studentë duke paralajmëruar një krizë të thellë në burimet e specializuara njerëzore. Përpos pamundësisë për të gjetur punonjës me kualifikime të veçanta në fusha specifike problematike është shfaqur situata në rajone të vogla.

“Vlen të përmendet se në realizimin prej 78% të plotësimit të vendeve vakante të shpallura ka ndikuar arsyet si vijon: mungesa e kandidatëve që zotërojnë një diplomë universitare në profilin agronomi, veterinari, zootekni, shkenca inxhinierie, natyrore, mjedisore etj.; mungesa e kandidatëve me nivel të lartë arsimor si “doktoraturë” në qendrat e transferimit të teknologjive bujqësorë, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, etj; vendndodhja gjeografike e pozicioneve të punës, në qytete si Ballsh, Shkodër, Gramsh, Pukë, Lushnje, Pogradec, Mallakastër, Gjirokastër, Krujë etj.; natyra e pozicionit të punës: audites, prokurime, financier-nëpunës zbatues. Si rrjedhim i sa më sipër rezultoi se 337 pozicione pune të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese janë mbyllur pa kandidatë fitues” nënvizon raporti. / N.Maho/Monitor.al