Në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt sot sesioni XII plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, në kuadrin e Presidencës Shqiptare, me pjesëmarrjen e disa deputetëve nga Bullgaria, Turqia, Greqia, Rumania, Slovenia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnje-Herzegoviana, Maqedonia e Veriut e Serbia.

Shqipëria po përmbyll me sukses kryesimin e këtij Procesi gjatë periudhës Qershor 2024-Korrik 2025, tha Spiropali në fjalën e saj. Para të pranishmëve, ajo foli edhe për objektivi e qeverisë shqiptare për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027 dhe për t’u anëtarësuar brenda vitit 2030 në BE, që sikurse tha, ky objektiv ka gjetur mbështetjen e Parlamentit dhe Komisionit Europian si edhe po fiton mbështetje të gjerë nga vendet anëtare.

Unë kam besim në mbështetjen e fuqishme të këtij plani edhe nga shtetet anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, Bullgaria, Greqia, Rumania, Kroacia dhe Sllovenia“, u shpreh kryeparlamentarja.

“Politika jonë e jashtme dhe e sigurisë është plotësisht në një linjë me politikën e Bashkimit Europian. Shqipëria i ka shërbyer sigurisë dhe paqes me mandatin e saj të suksesshëm si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjatë viteve 2022-2023, organizimin në Tiranë të Samitit Europë Juglindore-Ukrainë në shkurt 2024, mbështetjen e luftës së drejtë të Ukrainës dhe hapjen e Ambasadës në Kiev etj. Përshpejtimi i ritmeve të integrimit europian nga Shqipëria është njëkohësisht një stimul edhe për vendet e tjera kandidate të rajonit. Sepse ne e konsiderojmë Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore si një mekanizëm të fuqishëm që synon jo vetëm të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të promovojë dialogun dhe të nxisë bashkëpunimin dhe forcojë besimin ndërmjet shteteve pjesëmarrëse, por edhe si një mundësi për të bashkërenduar përpjekjet proceset e integrimin europian dhe euroatlantik të vendeve tona. Mbështetja nga vendet e Europës Juglindore e procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor është më shumë se një akt solidariteti. Është një kontribut i shtuar në mënyrë që Shqipëria, Bosnje-Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia si edhe vendet e tjera të Europës Juglindore të bëhen sa më shpejt jo thjesht anëtarë, por vlera të shtuara të familjes europiane. Anëtarësimi në Bashkimin Europian i vendeve tona do të shërbejë si një burim për energjizimin e Euroëps, për ta bërë atë më të madhe, më të fortë, më kohezive“, vijoi Spiropali.

Spiropali kërkoi që Strategjia për Europën Juglindore, Procesin e Berlinit, Planin e Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Tregun e Përbashkët Rajonal dhe oportunitete e platforma të tjera bashkëpunimi të shfrytëzohen si mundësi për të nxitur kooperimin ndërkufitar, zhvillimin ekonomik e tregtinë, lehtësimin e telekomunikimit, të lëvizjes së njerëzve mallrave, shërbimeve e kapitaleve, për të ndërtuar infrastrukturën lidhëse kombëtare e rajonale, për të arritur atë shkallë konektiviteti, interkonektiviteti, konvergjence ekonomike dhe bashkëpunimi gjithëpërfshirës, për ta bërë rajonin tonë një rajon më të zhvilluar, me më shumë mirëqenie dhe më të sigurt.