Asgjësohen mbi 1880 fidanë kanabis në fshatin Çërrilë të Mallakastrës.
Gjatë kontrollit në zonë, policia kapi në flagrancë dy persona duke ujitur fidanët, të cilët u arrestuan.
Po ashtu është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit dhe një shtetas tjetër i dyshuar si bashkëpunëtor.
Njoftimi:
Mallakastër/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjenden dhe asgjësohen në një parcelë në fshatin Çërrilë 1881 fidanë narkotikë cannabis sativa.
Kapen në flagrancë në parcelë duke ujitur fidanët narkotikë, vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.
Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit dhe 1 shtetas tjetër i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, goditën një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve, në fshatin Çërrilë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër gjetën një parcelë me 1881 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në parcelë, u kapën në flagrancë duke ujitur fidanët narkotikë, shtetasit A. S., 53 vjeç, banues në Greshicë dhe E. Sh., 34 vjeç, banues në Çërrilë, të cilët u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Në lidhje me këtë rast u procedua penalisht kryeplaku i fshatit, shtetasi I. S., 63 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal edhe për shtetasin M. Z., 44 vjeç, banues në Ballsh, ku gjatë kontrollit të banesës, këtij shtetasi iu gjetën një armë sportive, 12.400 euro, 400 paund dhe rreth 900.000 lekë të reja të cilat dyshohet se ishin në funksion të kësaj veprimtarie kriminale.
Fidanët narkotikë u asgjësuan me anë të djegies.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.