Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një defekti në ashensorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Policia ka njoftuar se një barrelist dhe një paciente janë bllokuar në ashensor pas defektit. Ata janë nxjerrë pas ndërhyrjes së zjarrfikëses.
Më pas është zbuluar se të dy kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e ngjarjes. Ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i plotë:
Më datë 15.05.2022, rreth orës 23:30, në spitalin “Nënë Tereza”, në katin -1, barrelisti shtetasi K. D., duke transportuar me barrelë shtetasen V. C., paciente në spital, për shkak të një defekti janë bllokuar brenda në ashensor.
Me ndërhyrjen e zjarrfikëses është bërë e mundur hapja e ashensorit. Shtetasi K. D. dhe pacientja, shtetasja V. C., janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.