Sot në ditën botërore të të drejtave të konsumatorëve, emisioni “Aldo Morning Show” në Tv Klan pati të ftuar ekspertin e kësaj fushe Granit Sokolaj. Nga studioja lëvizëse eksperti për mbrojtjen e konsumatorit u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të kenë kujdes me produktet që konsumojnë, të tregohen vigjilentë se ku i blejnë, përbërësit që kanë dhe të kontrollojnë gjithmonë datën e skadencës.
Granit Sokolaj u ndal gjithashtu dhe tek një pikë tjetër mjaft e rëndësishme, e cila na prek të gjithëve. Ka të bëjë pikërisht me çmimet e produkteve, e aq më tepër të produkteve të shportës. Ai tha se në vendin tonë çmimet janë abuzive në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke përmendur këtu shtetet fqinje si Kosova apo Maqedonia.
Sipas tij pavarësisht tregut të lirë, shteti duhet të marrë disa masa në mënyrë që të ndalohet kjo rritje pa kriter e produkteve.
