Nga Astrit Patozi
Për të kuptuar depresionin e Shqipërisë së sotme, mjafton të shohësh sondazhin e fundit të Zaloshnjes. Është kjo arsyeja pse shumica e udhëheqësve dhe e filozofëve tanë bënë sikur nuk e panë, ndërsa ata të zakonshmit, që përkthejnë më shumë nga shqipja në shqip, se sa nga gjuhët e tjera, e lexuan si gjithmonë me syzet e tyre.
Duket qartë se ka shkuar në zgrip mbështetja për trekëndëshin e dinosaurëve, që alternojnë prej dekadash pushtetin në Shqipëri, ndërkohë që është rritur frikshëm masa e atyre që nuk besojnë tek asnjëra prej partive kryesore.
Shqiptarët, që kanë votuar asnjërin prej tyre, janë praktikisht sot fituesit e zgjedhjeve në Shqipëri, por ky nuk është domosdoshmëriaht një lajm i mirë.
Vetëm mospranimi i së keqes si formë reagimi shoqëror ëahtë i pamjaftueshëm për të sjellë ndryshimin. Sepse kjo është një shumicë e papërfaqësuar dhe nuk ka asnjë vlerë rritja e vëllimit të saj, nëse ajo do të vijojë të mbetet e pagojë dhe në kufinjtë e vetëm refuzimit.
Por ky është një sinjal për gjithëkënd, që ka diçka për të thënë e për të bërë politikisht në këtë vend në funksion të një vizioni të ri, që nuk ka lidhje me kënetën, ku gjendemi sot. Që do të thotë se njerëzit, të cilët po presin një projekt të ri politik janë sot më shumë se asnjëherë tjetër, ndaj nuk ka asgjë që e justifikon hezitimin.
Ndonëse politika nuk është sport kaq i lehtë për t’u ushtruar, kjo është koha ideale për t’i zgjuar dhe për t’i bërë bashkë ata që duan realisht të përfaqësojnë një Shqipëri të ndryshme nga ajo e atyre të treve, që ua kanë vështirosur njerëzve atdheun e tyre.
Ndryshe, u bie më mirë që të shohin hallet veta dhe nëse e kanë pasion, të shohin filma me luftë false çdo të enjte nga parlamenti i statuskuosë së kryetarokracisë.
Në mos kanë edhe një mundësi tjetër, të mbyllin gojën, të ulin kokën dhe të rreshtohen në një prej 3 garnizoneve të vjetra politike, me shpresën se një ditë udhëheqësi i pagabueshëm do të kujtohet për t’i gostitur me ndonjë kockë, si gjithë të tjerët.
Sepse “asnjë nga këta” është mesazh për ata që kuptojnë dhe guxojnë politikisht, por nuk është opsion në fletën e votimit, që mund ta rrëzojë sistemin tonë të kalbur nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.