Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka deklaruar se kufijtë e vendit të saj do të qëndrojnë të mbyllur deri të paktën në fund të vitit. Ajo tha se “një strategji eliminimi”, ishte mënyra më e mirë për të mbajtur Covid-19 jashtë dhe ekonominë të hapur.
Kryeministrja tha gjithashtu se përparësi kishte vaksinimin e popullsisë deri në fund të vitit 2021.
Zelanda e Re shihet si një nga vendet më të suksesshme në botë në kontrollin e pandemisë. Vendi ka regjistruar vetëm 26 vdekje në një popullsi prej pak më pak se pesë milionë banorë, shkruan SHQIP.
“Ne thjesht nuk jemi në gjendje të rihapemi plotësisht ende,” tha zonja Ardern në një fjalim në një forum.
“Kur të lëvizim ne do të jemi të kujdesshëm dhe të qëllimshëm, sepse duam të lëvizim me besim dhe me sa më shumë siguri të jetë e mundur.”
Ajo shtoi se kur vendi të rihapet vitin e ardhshëm, udhëtarët e vaksinuar nga vendet me rrezik të ulët do të jenë në gjendje të vizitojnë pa karantinë Zelandën e Re, ndërsa ata nga vendet me rrezik më të lartë, do të duhet të izolohen ose të karantinohen për 14 ditë.
Ardern ka marrë lëvdata për trajtimin e pandemisë. Kontrollet e rrepta kufitare dhe bllokimet e parakohshme janë ndër masat që kanë mbajtur nivelet e ulëta të infeksionit.