Agjencia e njohur ndërkombëtare, Associated Press, i ka bërë jehonë protestës së opozitës shqiptare në Tiranë kundër regjimit të Edi Ramës. Agjencia e lajmeve raporton se policia ka përdorur bomba gazi dhe ujë ndaj protestuesve duke e kthyer Tiranën në një vend ku u dëgjuan shpërthime që tronditën qytetin.

Protesta masive kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama në kryeqytetin shqiptar u shndërrua në dhunë të premten, me zjarr, fishekzjarrë, gaz lotsjellës dhe shpërthime që tronditën qytetin, raporton Associated Press (AP).

Demonstruesit kërkonin dorëheqjen e Ramës pas një serie akuzash për korrupsion që kanë përfshirë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila shërben gjithashtu si ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës.

Prokurorët antikorrupsion kanë akuzuar Ballukun për ndërhyrje në prokurimet publike të projekteve të ndërtimit për të favorizuar kompani të caktuara, duke kërkuar heqjen e imunitetit të saj.

Ngjarjet e sotme theksojnë tensionet në rritje ndaj qeverisë shqiptare dhe pasojnë një valë kritikesh të brendshme dhe ndërkombëtare mbi çështjet e transparencës dhe llogaridhënies në vend.

Ardit Murataj