Ky është Edison Begaj, 38-vjeçari të cilit në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës iu bë një atentat në hyrje të shtëpisë në Kaninë të Vlorës. Ai mori 4 plumba dhe pak para mesnatës u paraqit për ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë sapo është njoftuar nga spitali, policia mbërriti në vendin e ngjarjes, bëri rrethimin e zonës për kapjen e autorit dhe mbledhjen e provave për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje.
Burime nga policia bëjnë të ditur se autori ka qenë në këmbë dhe se ka pritur deri sa 38-vjeçari të kthehej në banesën e tij për t’i qëlluar me pistoletë. Duket se errësira e madhe në zonë i ka shpëtuar jetën Begajt, pasi plumbat e kanë kapur në pjesën e këmbëve.
Policia po heton lidhur me shkaqet e këtij atentati, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e konflikteve të 38-vjeçarit për shkak të aktivitetit të tij kriminal. Vet Begaj në dëshminë e parë të dhënë para hetuesve ka deklaruar se nuk ka asnjë lloj dyshimi mbi autorin apo autorët e kësaj ngjarjeje.
Deri më tani, policia ka shoqëruar 8 persona të dyshuar që kanë lidhje me ngjarjen, si dhe ka mbledhur pamjet kamerave te sigurisë që ndodhen në zonë. Edison Begaj është një personazh i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare.
Ai ka qenë arrestuar më 20 shkurt të vitit 2008, në kuadër të një operacioni të gjerë anti-drogë ku u sekuestruan edhe 284 kilogram hashash dhe një arsenal armësh zjarri, si automatik e granata.
Lidhur me këtë operacion Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar atë përfundimisht me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.
Po ashtu edhe në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuana. Ndërkohë më 18 maj të vitit të shkuar OFL i dërgoi Edison Begajt kërkesën me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë së tij.