Emiljano dhe Elton Domi, dy vëllezër nga Xhafzotaj i Durrësit, janë shpallur në kërkim nga Policia dhe akuzohen se kanë qëlluar me armë zjarri drejt një 35 vjeçari. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në autostradën Durrës-Tiranë.

Referuar njoftimit zyrtar, dy vëllezërit janë konfliktuar verbalisht me të riun tjetër për parakalimin me makinë gjatë lëvizjes në autostradë dhe më pas e kanë qëlluar më armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të datës 03.08.2025, në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi L. Sh., 35 vjeç. Ky i ri është prekur nga plumbat, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana e Policisë së Shtetit, po punohet intensivisht për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, vëllezërve Emiljano dhe Elton Domi, dy vëllezër nga Xhafzotaj, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

“Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 01:00 të datës 03.08.2025, në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku u qëllua me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi L. Sh., 35 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasit E. D., 46 vjeç dhe E. D., 40 vjeç, vëllezës, të dy banues në fshatin Xhafzotaj.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pasi janë konfliktuar verbalisht, me 35-vjeçarin, për parakalimin me automjet, vëllezërit kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai. Nga të shtënat u dëmtua 35-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën”, thotë Policia e Durrësit.