Një vrasje e kryer 17 vite më parë në kryeqytetin grek, Athinë, ka sjellë identifikimin dhe marrjen të pandehur të dy personave që strehoheshin në Shqipëri.
Armando Tarushllari dhe Gëzim Latja, janë marrë të pandehur nga prokuroria e Korçës, pasi hetimet e zhvilluara ndaj tyre kanë provuar implikimin e dy personave në vrasjen me dashje të, Arjan Xhambazit në Greqi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesnatën e 6 Dhjetorit 2008 dhe pas kryerjes së krimit dy personat janë larguar nga territori Grek, duke gjetur strehim në Shqipëri.
Ekzekutimi i Xhambazit është regjistruar në lulishten “Karamali Kipseri” në Athinë, pasi shkak ka qenë një konflikt i krijuar mes çiftit të bashkëshortëve Elvira dhe Flamur Demiri.
Për shkak të dhunës së ushtruar nga Flamur Demiri, Elvira ishte larguar nga banesa e tij dhe kishte gjetur strehim tek shtëpia e shoqes së saj, Merita Hima. Flamuri, ka shkuar në banesën e Ritës për të marrë gruan, por ajo s’ka pranuar të dalë nga shtëpia, pasi ai ishte i dehur, duke ju ndrojtur një dhunimi fizik.
Gjithçka ka ndodhur për shkak të një konflikti brenda familjes që më pas u shoqëruar në përleshje mes dy grupeve, të cilat kanë përdorur thika, sende të forta dhe pirunj
Nga konflikti i dhunshëm, ka mbetur i vdekur nga goditjet me thikë Arjan Xhambazi, ka pësuar dëmtim serioz Flamur Demiri dhe është dëmtuar lehtë në dorë, Ibrahim Demiri.
Për vite me radhë dy autorët e krimit, Tarushllari dhe Latja, kanë qëndruar në liri, por në muajin Maj 2024 ata u arrestuan pas një vendimi të lëshuar nga Gjykata e Korçës dhe tashmë pritet t’i nënshtrohen procesit gjyqësor.
Për hetimin e kësaj vrasje, prokurorisë së Korçës i është dashur të kërkojë akte hetimore nga prokuroria e Athinës, e cila vuri në dispozicion veprimet hetimore që ka kryer policia për këtë ngjarje të rëndë.
Në Greqi rezulton të jetë arrestuar dhe dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim, për plagosje në trup, shtetasi Shqiptar, Edmond Qershia.
Ndërsa tashmë në Shqipëri dy personat e tjerë Armando Tarushllari dhe Gëzim Latja, pritet ti nënshtrohen gjykimit për akuzën e “Vrasjes me dashje” ndaj Arjan Xhambazit.