3 persona janë shoqëruar nga policia pas atentatit të ndodhur pas mesnatës së të hënës në Larushk, ku mbeti i vrarë Ramazan Sino, dhe të plagosur dy djemtë e mitur të Gentian Bejtjes, 8 dhe 13 vjeç. Pikërisht Bejtja dyshohet se ka qenë dhe shënjestër e atentatit mafioz nga ana e autorëve.

Burime bëjnë me dije se personat e shoqëruar mund të kenë dijeni në lidhje me atentatin, ndërkohë që policia ka ushtruar kontroll dhe në banesat e tyre, për të gjetur ndonjë lidhje të mundshme me krimin.

Autorët që morën pjesë në atentatin në banesën e Bejtjes kanë qenë të paktën 3, ndërsa kanë vepruar pa mëshirë pasi kanë qëlluar të paktën 25 herë në drejtim të familjarëve që ndodhin në oborrin e banesës, pa u shqetësuar se aty kishte gra dhe fëmijë.

Kjo është hera e tretë që vetë Gentian Bejtja i shpëton një atentati, edhe pse me një kosto shumë të rëndë, pasi përveç vrasjes së kunatit 29-vjeçar, dy djemtë e tij ndodhet në luftë për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë.

Mjeti i autorëve se bashku me armët e përdorura në krim, 3 kallashnikov, u gjetën të djegura disa minuta pas vrasjes në zonën e Tapizës, ndërkohë që hetuesit kanë pak shpresa që aty të gjejnë prova që të çojnë drejt identifikimit të autorëve.

Njoftimi i policisë:  

Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmë, për ngjarjen e ndodhur në oborrin e banesës së shtetasit G. B., ju bëjmë me dije se:

Ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra shtetasi R. S., 29 vjeç, si dhe janë plagosur dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, dy të mitur të moshës 13 dhe 10 vjeç, (nipat e shtetasit R. S).

Me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar, shërbimet e Policisë kanë ushtruar 3 kontrolle në 3 banesa si dhe kanë shoqëruar 3 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Në përfundim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen, do të ketë një njoftim për shtyp në vijim.