Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin në Lundër, ku katër persona, mes tyre dy fëmijë, mbetën të plagosur.

Grupi hetimor ka identifikuar katër vende të ndryshme ku janë parë lëvizjet e autorëve të dyshuar përmes kamerave të sigurisë. Nga këto lokacione janë marrë edhe të dhënat e qelizave telefonike të antenave përkatëse.

Hetuesit po analizojnë këto qeliza për të zbuluar se çfarë telefonatash janë kryer në ato zona dhe kush janë përdoruesit e numrave që rezultojnë aktivë pranë vendeve ku kanë lëvizur autorët. Paralelisht, po priten edhe rezultatet e analizave të profileve gjenetike që janë dërguar për verifikim.

Ndërkohë, autoritetet presin të marrin një deklaratë të detajuar nga babai i dy fëmijëve të plagosur, i cili mund të ndihmojë në sqarimin e pistave që po hetohen. Deri më tani, hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore.

Ngjarja ka ndodhur më 17 prill rreth orës 21:30, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri me armë zjarri drejt një automjeti tip “G-Class”. Në këtë automjet ndodhenin katër persona, Arenc Stafa 34-vjeç, Kian Mullahi 19-vjeç, dhe dy të miturit Dior Demiraj 11 dhe Marko Demiraj 17-vjeç.

Pas ngjarjes së rëndë hetuesit kanë marrë dëshmitë e të plagosurve, të cilët, të tronditur janë shprehur se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e para ngjarjes nuk kanë pasur asnjë sherr. Të rinjtë nuk kanë asnjë precedent, po ashtu edhe shoferi i tyre nuk ka asnjë precedent dhe asnjë konflikt.