
Një fëmijë vetëm 11 vjeç po lufton për jetën mbasi ndaj tij dhe tre të tjerëve që po udhëtonin me një mjet G-Class, u qëlluan mëse 30 plumba automatiku.
I mituri, djali i një biznesmeni kishte festuar datëlindjen së bashku me vëllain të moshës 17 vjeç dhe shokët e tyre, e po kthehej në shtëpi i shoqëruar me shoferin e familjes 34-vjeçarin Arenc Stafa.
Në dinamikën e ndërtuar, të bazuar tek të dhënat paraprake hetuesit besojnë se ndaj automjetit luksoz ku gjendeshin pasagjerët dy prej tyre të mitur, një i tretë Kian Mullahi 19 vjeç dhe shoferi Stafa u qëllua në ecje e sipër me armë zjarri, ndërsa konsiderohet se njësoj është vënë në rrezik edhe jeta e të pafajshmëve të tjerë kalimtarë të rastit.
Paraprakisht hetuesit thonë se kanë si pistë ngatërrimin e shënjestrës mbas dyshimit fillestar se ky aks rrugor frekuentohej me makina të ngjashme.
Është kjo arsyeja pse hetuesit po verifikojnë se kush jeton në zonën rezidenciale të Lundrës, një zonë ku shënjestrat kanë banesat dhe që sakaq përdorin makina të ngjashme.
Agjentët besojnë se në këtë zonë banon edhe bashkëshortja e të ndjerit Roan Brahimi, babai i të cilit u qëllua për vdekje 45 minuta përpara se të ndodhte atentati i Tiranës.
Sipas hetimeve, gruaja e Brahimit, që sa ishte gjallë kishte kundërshtar Ervis Martinin, përdorte një automjet të ngjashëm, Top Channel ka verifikuar të dhënat prej nga ku rezulton se shtetasja A. Brahimi përdor makinë Audi Q5.
Njëherazi janë marrë në pyetje tre të dëmtuarit e tjerë të cilët kanë përshkruar itinerarin përpara se të ishin në vatër të armëve të zjarrit ku dhe kanë shpjeguar se nuk kanë patur asnjë incident.
Policia po mbledh ende prova dhe po bëhet gati që mbasi të mbylle marrjen në pyetje të disa shtetasve, të referojë materialet për veprën e vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë.
Akuza e grupit kriminal po shqyrtohet ende nga hetuesit që shpresojnë të gjejnë gjurmë biologjikë në një nga vendet ku dyshohet se vrasësit kanë pritur shënjestrën./top channel
