Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka reaguar pas zhurmës që shkaktoi një publikim i tyre se në politikan i lartë me incialet I.M, rezulton të jetë me dokumente ish bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.

Teksa u aludua gjithandej se personi në fjalë ishte presidenti Ilir Meta, Autoriteti i Dosjeve thotë se një pjesë e informacioneve që kanë qarkulluar kanë qenë një dizinformim.

Më herët gjatë ditës vetë ish-presidenti Ilir Meta deklaroi se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me Sigurimin e Shtetit, dhe ftoi autoritetet që të publikonin dosjen e plotë për rastin.

𝐌𝐛𝐢 𝐫𝐞𝐚𝐠𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐦𝐛𝐢 𝐧𝐣𝐨𝐟𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐀𝐮𝐭𝐨𝐫𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐩𝐞̈𝐫 𝐩𝐫𝐨𝐛𝐥𝐞𝐦𝐚𝐭𝐢𝐤𝐚𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐳𝐛𝐚𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐥𝐢𝐠𝐣𝐢𝐭 𝐧𝐫. 𝟒𝟓/ 𝟐𝟎𝟏𝟓 𝐢 𝐧𝐝𝐫𝐲𝐬𝐡𝐮𝐚𝐫 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧𝐞̈, 𝟐𝟕 𝐤𝐨𝐫𝐫𝐢𝐤 𝟐𝟎𝟐𝟐 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit doli me njoftim zyrtar më 26 korrik, mbi problematikat në verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve, funksionarëve të lartë publikë dhe të zgjedhurve qendrorë e vendorë, informacione që iu përcollën, me propozimet përkatëse, Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë kësaj kohe, kanë qarkulluar shumë interpretime mbi informacionin e përcjellë nga institucioni. Autoriteti përgënjeshtron lajmet që referojnë vendime dhe dosje të shtetasve të ndryshëm, (si ai nr. 227, datë 27.05.2022) pjesë e punës së përditshme, të publikuara rregullisht në faqen zyrtare.
Institucioni fton të gjithë të interesuarit të ndjekin rrugën ligjore për informim, bazuar në ligjin nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit” dhe ligjin nr. 45/2015, i ndryshuar. Të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund ta ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur. Autoriteti verifikon me përgjegjësi profesionale çdo pretendim mbi materiale të referuara apo kërkuara. Aktualisht, institucioni po trajton për përgjigje kërkesat për informim mbi njoftimin e datës 26 korrik.

Autoriteti nuk ndikohet në ushtrimin e veprimtarisë së tij për informim dhe vijon punën, bazuar në ligjshmëri, transparencë, mbrojtje të së drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, mbrojtje të të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar dhe bashkëpunim mes institucioneve shtetërore.
Institucioni është në pritje të ndryshimeve ligjore të propozuara, për të kryer kërkimet dhe verifikimet përkatëse për rastet, që do të marrin kohën e tyre të trajtimit. Rastet e referuara Kuvendit nuk janë objekt verifikimi, për shkak të pengesës ligjore të cituar më herët.