Avokati i Alda Klosit, Ilirjan Muho, ishte i pranishëm këtë të martë në studion e emisionit “Opinion” ku tha se klientja e tij nuk ka dhënë asnjë deklaratë kontradiktore në polici në lidhje me çështjen e parave të gjetura në shtëpinë e pastrueses së saj, Rozeta Dobi. Avokati tha se kjo e fundit ka dhënë versione të ndryshme sa herë që është pyetur. Prandaj për këtë arsye, sipas tij, versioni i fundit pas të cilit prokuroria ka arrestuar Klosin, duhet verifikuar mirë.

Sipas avokatit, prokuroria ka prezantuar sot në gjykatë, ku Klosi u la me masën e sigurisë arrest me burg, një shtëpi në Vuno. Sipas Muhos, kjo shtëpi është 500 vjeçare dhe e trashëguar nga familja, por është e padeklaruar sepse nuk është e regjistruar në zyrat e regjistrimit.  Sa i përket humbjes së kasafortës, Muho tha se klientja e tij kur e ka konstatuar ka kërkuar të japë deklarim, por punonjësi i policisë i ka thënë që do të bëjë në ditët në vijim.

Blendi Fevziu: Zonja që punonte në shtëpinë e zonjës Klosi ka bërë këtë dëshmi. Nga materialet që keni marrë ju është verifikuar me forma të tjera dëshmia e saj?

Ilirjan Muho: Asnjë deri tani. Ai është një detyrim madhor për prokurorinë, duke qenë se është vetëm një deklarim dhe duke qenë se kemi të bëjmë me një dëshmitare e cila për katër herë që është pyetur ka dhënë katër versione të ndryshme për të njëjtën ngjarje.

Blendi Fevziu: Edhe klientja juaj ka dhënë…

Ilirjan Muho: Jo nuk ka dhënë. Po të doni i kthehemi dhe i sqarojmë. Ajo që ju e quajtët i rikthehemi dhe e sqarojmë që nuk ka asnjë kontradiktë në shpjegimet e saj, po të doni i kthehemi.

Blendi Fevziu: Në shpjegimin e parë thotë që i kanë marrë pak para që i kishte në komodinën e krevatit…

Ilirjan Muho: Po ashtu ka thënë.

Blendi Fevziu: Në shpjegimin e dytë ka thënë 150 mijë euro. Unë nuk e di vetëm të ishte shtëpia e Elon Musk që 150 mijë nuk i mbaj mend njeriu që i ka në shtëpi.

Ilirjan Muho: Ju sqaroj që ajo nuk ka asnjë kontradiktë. Në datën 15 ajo ka njoftuar policinë duke u thënë që më është vjedhur shtëpia.

Blendi Fevziu: Nuk e ka njoftuar ajo…

Ilirjan Muho: Ajo e ka njoftuar dhe mund të verifikohet nëpërmjet sallës operative.

Blendi Fevziu: E verifikuam me sallën operative, ka njoftuar në fillim një nga banorët e zonës, administratori i pallatit, vajza dhe pastaj ajo…

Ilirjan Muho: Ka vajtur vajza, ka gjetur shtëpinë, ka lajmëruar administratorin. Është njoftuar mamaja dhe menjëherë është njoftuar policia. Kjo është një gjë e verifikueshme.

Blendi Fevziu: Patjetër, por jo drejtpërdrejtë nga zonja.

Klodiana Lala: Ka bërë një telefonatë, por është e disata në radhë.

Ilirjan Muho: Ajo është çështje minutash. Atë e ka konstatuar e para vajza e cila ka qenë në shtëpi. Ka njoftuar administratorin e pallatit dhe nëpërmjet telefonit ka telefonuar mamanë. Pas kësaj është telefonuar policia. Tani se kush njoftoi më përpara…

Blendi Fevziu: Ka një pikëpyetje të madhe…

Ilirjan Muho: Nuk ka pikëpyetje se është çështje minutash. Problemi është ju thoni për deklarimin e Rozeta Dobit ka katër herë versione të ndryshme. Ka katër versione të ndryshme. Versioni i fundit që prokuroria sot po e tund si një deklarim që zbuloi atë që priste, është një version që ka nevojë të verifikohet në të gjitha detajet e dhëna prej saj.

Blendi Fevziu: Ne nuk dimë detajet ekstra që Dobi i ka dhënë prokurorisë.

Ilirjan Muho: Ajo nuk ka dhënë asnjë detaj. Nga ajo që u prezantua sot në gjykatë, nga ajo që përfaqësuesi i akuzës deklaroi sot në gjykatë flitet për një shtëpi në Vuno, është një shtëpi, e cila është 500-vjeçare, e trashëguar brez pas brezi nga familja e saj. Kjo është trashëgimtare në atë pjesë që i takon. Flitet për atë shtëpi. Ajo shtëpi është e padeklaruar sepse nuk është e regjistruar në zyrat e regjistrimit.

Blendi Fevziu: Paratë pse i harroi klientja juaj?

Klodiana Lala: Qëndrojmë pak te paratë, flasim për pastrimin e parave?

Ilirjan Muho: Në datën 15 ka shkuar në shtëpi. Në momentin që ajo ka gjetur policinë në shtëpi ajo është konsideruar vendngjarje. Aty nuk mund të hyhet, preket dhe lëvizet asgjë. Konstatimi që ka bërë Alda Klosi për mungesën e bizhuterive ka ardhur për shkak të hapjes së sirtarëve ku ajo i dinte që i kishte disa bizhuteri si sende personale. Menjëherë pasi policia ka kryer verifikimet e ka marrë Alda Klosin dhe ka bërë deponimin në polici. Ka bërë deklarimin e saj ku ka thënë që më mungojnë disa bizhuteri. Është kthyer në shtëpi, ka komunikuar me vëllanë e saj dhe kanë parë se kasaforta e cila kishte një shumë parash mungonte. Menjëherë ka marrë në telefon punonjësit e policisë duke u thënë…

Blendi Fevziu: Si pasi bëri policia kontrollin? Gjëja e parë që njeriu kontrollon lekët janë.

Klodiana Lala: Në momentin që konstatoi humbjen e parave pse nuk shkoi të denonconte? E marrim të mirëqenë versionin tuaj që në momentin e parë nuk e konstatoi. Momentin që e kuptoi që mungon kasaforta…

Ilirjan Muho: Vajti mori në telefon punonjësin e policisë.

Klodiana Lala: Përse Alda Klosi nga data 15 deri në 6 Janar nuk shkoi të denonconte humbjen e kasafortës?

Ilirjan Muho: Ka marrë në telefon punonjësin e policisë dhe ka thënë konstatova që mungon diçka e rëndësishme në shtëpi, a mund të vij të shtoj deklarimin? I kanë thënë ne jemi në punë e sipër këtë gjë mund ta bësh në ditët në vijim.

Klodiana Lala: Nuk është justifikim ky./tvklan.al