Në sfidën më të padëshiruar në histori, miqësoren kundër Turqisë, Italia rikthehet shpejt te fitorja, një suksesi i vuajtur, por në të njëjtën kohë ishte një sinjal i rëndësishëm. Kjo ishte një ndeshje që në letër kishte vlerë vetëm për renditjen e FIFA-s, ndërsa në aspektin moral vlente më shumë se kaq, pas atij eliminimi të turpshëm të pësuar nga Maqedonia e Veriut.

Italia e re e Mancini dhuroi disa sinjale pozitive, mbi të gjitha tredhëmbëshi i ri ofensiv, Raspadori, Scamacca, Zaniolo. Vijon të shqetësojë Donnarumma, portieri dhe lojtari më i mirë në “Euro2020”, një gafë e tij që në minutën e katërt i dhurojë Turqisë golin e avantazhit me Under. Cristante në të 35-tën barazoi shifrat ndërsa katër minuta më pas Raspadori kaloi “azzurrët” në avantazh. Talenti i Sassuolos trefishoi shifrat në minutën e 69-të duke kompletuar “dopjetën” e tij personale. Në të 83-tën, Dursun sigloi shifrat përfundimtare në 2-3.

Në përfundim të sfidës Roberto Mancini vlerësoi lojën e disa prej elementëve të rijnë që aktivizoi në këtë miqësore: “Lojtarët e rijnë bënë mirë, më bëhet qejfi për këtë. Ishte bukur të shihje reagimin pasi rezultati shkoi 1-0. Ishte hera e parë që luanin të gjithë bashkë, janë rritur shumë dhe kjo nuk është aspak e lehtë. Ky ishte reagimi i duhur për të konfirmuar idenë për të vijuar të gjithë së bashku”, u shpreh Mancini në konferencë për shtyp.