Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka është përplasur ditën e sotme me Ministren e Kulturës, Elva Margariti në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Deputetja demokrate ka ngritur shqetësimin për rikonstruktimin e godinave historike, të cilat sipas saj kanë shkuar drejt degradimit, duke bërë madje një krahasim: Ballkonet e TKOB-së i keni kthyer si arkivole.
“Nuk pashë asnjë projekt konkret për Elbasanin, është zemra e turizmit. 2 shtëpi historike po rrënohen në Elbasan… Duhet t’i keni parë kullat e famshme të Macukullit, po degradojnë zonja ministre, janë degraduar. Po shkatërrohen, a ka mundësi të bëhet një gjë që këto gjëra të mbeten? Në këto zona që duken si larg vëmendjes, a ka mundësi të bëhet një ndërhyrje. Ballkonet e Teatrit të Operas, ballkonatat i keni kthyer si arkivole, s’e di çfarë shije është kjo por s’më la shije të mirë, kishte humbur dhe pjerrësia, mu desh t’i thoja atij burrit para ule kokën sepse nuk shikoja gjë. Diçka nga esenca e asaj gjëje ka humbur, shikojeni mbase e kam gabim sepse si arkitekte që jeni i dini më mirë këto çështje. Kjo gjë ishte një difekt që e vura re me të parën, nuk hyra në thellësi”, deklaroi Açka.
Margariti nuk e priti aspak mirë këtë koment, duke e quajtur makabre metaforizimin që deputetja e PD bëri për ballkonatat.
“Sa i përket Elbasanit, programi bonusi i rijetëzimit, kur është propozuar, ka qenë program që do fillojë të pilotohet në kalatë e pabanuara dhe Elbasani është një prej tyre. Ne kemi propozuar që Elbasani, Kruja dhe Berati të jenë 3 qytetet e para që do jenë pjesë e nismës për godinat e vjetra. Do ndalem te gjykimi juaj për operan, m’u duk pak makabre për ta metaforizuar në arkivole ballkonatat, mund të kishim gjetur metafora të tjera. Sa i përket aspektit teknik të ballkonatave ka 2 aspekte. E para kalkulimi i akustikës, e dyta është që numri i poltronave është ulur në pjesën e platesë sepse kanë qenë shumë afër me njëra tjetrën, duke zgjeruar aksin e poltronave janë vendosur në 2 ballkonata”, tha ministrja.