Vijon puna për pastrimin e akseve rrugore nga ndërtimet që bien ndesh me distancat ligjore të përcaktuara, në kuadër të garantimit të sigurisë rrugore.
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se aktualisht po punohet për pastrimin e aksit Elbasan-Rrogozhinë nga ndërtimet, ku janë angazhuar strukturat e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT).
“Aksi Elbasan–Rrogozhinë prej ditësh është në vëmendjen e ARRSH dhe IKMT”, u shpreh Balluku.
Ndërhyrjet synojnë të garantojnë sigurinë për përdoruesit e rrugës, të përmirësojnë qarkullimin dhe të rikthejnë parametrat teknikë të infrastrukturës rrugore, si pjesë e një procesi më të gjerë të rehabilitimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit kombëtar.
Ndërhyrjet janë pjesë e strategjisë afatgjatë për standardizimin dhe lirimin e hapësirave publike përgjatë akseve kombëtare, në përputhje me planifikimin urban dhe kërkesat për një infrastrukturë të sigurt dhe funksionale. /j.p/