Një histori sa për të qeshur, aq edhe e rëndë ka ndodhur në një lagje të qytetit italian të Torinos. Sipas mediave lokale bullizimi prej një kohe të gjatë i një 45-vjeçari nga pronari i një kafeneje në sheshin Vittorio Emanuele II në Rodello, në zonën e Cuneos, është mbyllur me një “tentativë për vrasje”.

Historia ka nisur në fund të marsit të ktij viti, kur 45-vjeçari nga Montelupo Albese teksa konsumonte kafen në lokalin “La Taranta” ishte bullizuar nga banakieri

“E di që je i vaksinuar, je një copë m…”, i kishte thënë banakieri, klientit.

Pas disa mosmarrëveshjeve të tjera gjatë katër muajve të fundit, në mbrëmjen e 29 korrikut, 45-vjeçarit duket se i është “mbushur kupa” dhe ka vendosur të marrë situatën në dorë.

Në nerva e sipër ai ka dalë përpara lokalit me makinën e tij dhe ka shtypur gazin duke iu drejtuar vendit ku ishte ulur banakieri me të cilin ishte grindur në të kaluarën.

Sekuenca u kap në një video që u postua në Instragram nga profili Welcome To Favelas dhe tregon banakierin që në tentativë për të shpëtuar kokë, ka reaguar duke hedhur një tavllë në drejtim të makinës.

Fatmirësisht ai ia ka hedhur paq pa asnjë dëmtim, por dëmet në lokal janë të mëdha me karrige dhe tavolina të shkatërruara.

Karabinierët sakaq ndërhynë atë mbrëmje dhe arrestuan 45-vjeçarin, mbi të cilin rëndonte akuza për vrasje të mbetur në tentativë. Në fillim të gushtit masa e tij e sigurisë u lehtësua dhe u shndërrua në arrest shtëpie.

Banakieri dhe familja e tij ndërkohë janë të frikësuar se 45-vjeçari mund të kthehet dhe të bëjë diçka edhe më të rëndë, duke mos qenë në burg.