Banka Qendrore Evropiane po bën përparim në përpjekjet e saj për të krijuar një version dixhital të euros ndërsa përdorimi i parave të gatshme bie dhe Kina përshpejton testimin e juanit të saj.

Banka qendrore njoftoi një testim dy vjeçar që do të shqyrtojë “çështjet kryesore në lidhje me hartimin dhe shpërndarjen” e euros dixhitale dhe do të analizojë ndikimin e mundshëm në treg.

Vendimi përfundimtar nëse do të prezantohet euro dixhitale do të vijѱ në vitet në vazhdim, raporton CNN.

“Duke pasur parasysh transformimin në dixhital që ka potencialin për të transformuar pagesat dhe madje edhe të gjithë sistemin financiar, bankat qendrore duhet të jenë të guximshme dhe të ecin në hap me kohën”, tha Fabio Panetta, një anëtar i bordit ekzekutiv të BQE.

Euro dixhitale nuk do të zëvendësonte paratë e gatshme, por do të funksiononte në të njëjtën mënyrë.

Në vend që të paguajnë për mallra ose shërbime me para ose karta bankare, evropianët mund të përdorin formën elektronike të parave, të lëshuar nga Banka Qendrore Evropiane ose bankat qendrore kombëtare në një portofol dixhital.

Panetta tha se banka qendrore do të përpiqet të fillojë zhvillimin e euros dixhitale pas përfundimit të periudhës së hetimit. Ky proces tjetër “mund të zgjasë rreth tre vjet”, duke e vendosur Evropën në rrugën e futjes potencialisht të një monedhe dixhitale në vitin 2026.

panorama