Banorët e lagjes “Brigada e 17 sulmuese” në Elbasan, kanë protestuar ditën e sotme, për shkak të rritjes së aksidenteve në zonë.
Banorët shprehen të shqetësuar për numrin e lartë të këtij fenomeni në rritje dhe kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme, për ndërhyrjen në sinjalistik.
Aksidentet në këtë rrugë të lagjes janë bërë të shpeshta. Rasti më i freskët është ai i dy netëve më parë ku një 22 vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë.
Banorët shprehen të shqetësuar lidhur me situatën që vijon të ndodh në këtë lagje. Pranë ndodhen tre shkolla, një rrezik për fëmijët, të cilët duhet të kalojnë rrugën nga njëra anë në tjetrën. Mbrëmjet janë më të rrezikshme për këmbësorët pasi automjetet kalojnë me një shpejtësi shumë të lartë, jashtë normave të lejuara. Ata theksojnë se kjo rrugë është kthyer në një burim aksidentesh dhe se ndihen të rrezikuar të gjithë jo vetëm në rrugë por edhe nëpër lokalet aty pranë.
“Në këtë rrugë nuk ka ditë të mos bëhen aksidente, jemi ankuar edhe tek policia për të vënë disa pengesa, që të bllokohet kjo rruga. Parmbrëmë për pak sa nuk vdiq një 22-vjeçar, nëse nuk do e ndihmonim ne duke ngritur makinën, ai do kishte vdekur, pasi e kishte zënë makina poshtë. Këtu në darkë ka një shpetësi skëterrë, si Formula 1, zhvillohen gara. Nuk është marrë asnjë masë, nuk dimë çfarë të bëjmë më tepër. Kjo rrugë është një burim aksidenti me shifra të pabesuseshme. Këtu ka tre shkolla dhe në mëngjes ka mbi 400 nxënës që kalojnë. Një natë desh na ka hyrë makina në lokal, po të mos ishte ajo pema do ishim të gjithë të vdekur. “– u shpreh një nga banorët e lagjes.