Në prani të forcave të policisë, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi këtë të martë shembjen e disa godinave në Tragjas, për t’i hapur udhë ndërtimit të ujësjellësit, duke shkaktuar revoltë te banorët e fshatit.
Aksioni për shembjen e godinave në vendin ku do ndërtohet ujësjellësi, u shoqërua me përplasje fizike mes banorëve të Tragjasit dhe Policisë.
Projekti për ujësjellësin ka shkaktuar zemërim te banorët e Tragjasit, pasi ata e shohin këtë si një pasiguri për furnizimin e tyre me ujë të pijshëm.
Është e disata herë që banorët e Tragjasit protestojnë kundër ndërtimit të këtij ujësjellësi, nga zbatimi i së cilit sic thonë, devijohet rrjedha e Lumit të Izvorit drejt Palasës, gjë që ndikon në furnizimin e tyre me ujë.
Banorët thonë se nuk është bërë asnjë konsultim publik me ta për ndërtimin e ujësjellësit, dhe kanë kërkuar disa herë të jenë prezentë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Himarës, por kërkesa e tyre është refuzuar.
(BalkanWeb)
