Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ku thotë se është urgjente që të dilet nga qorrsokaku me dialog dhe jo me polici.
Duke risjellë në vëmendje ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, Rama thotë se pa aleatët strategjikë gjendja do të ishte shumë më e vështirë, prandaj çdo hap i politikanëve do të duhet që të konsultohet me ndërkombëtarët.
Postimi i Ramës:
Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!
Prandaj bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë,me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve!
Deklaratat e Ramës vijnë pak ditë pas draftit të propozuar prej tij për asosacionin e komunave në veri të Kosovës, që nuk u pranua nga politika e Prishtinës.