Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi tragjike ditën e sotme për Partinë Demokratike pas sulmit të mbështetësve të Sali Berishës. Lideri i PD-së u shpreh se dita e sotme ishte e fundit politike e Berishës në Shqipëri. Ai tha se dita e sotme kishte një lajm të mirë; “braktisjen e Sali Berishës nga demokratët”.
“Një ditë e mbushur me zhvillime tragjike për demokratët dhe mbarë shqiptarët dhe shpreh keqardhjen që prania juaj në selinë e PD-së u vonua për 4 orë me shkakun e kryerjes së veprimeve hetimore nga prokuroria. Dita e sotme ishte paralajmëruar si ditë dhune dhe pushtimit nga Sali Berisha.
Ishte paralajmëruar si dita për të kurorëzuar aksionin e tij personal. Sikur e kam thënë prej kohësh, ajo që nisi me pretekstin e një lëvizje demokratizuese, e tregoi sot fare mirë fytyrën e saj. Lajmi i mirë është fakti që shumica absolute e demokratëve nuk iu përgjigjën thirrjes së Sali Berishës. Sikur e kanë braktisur gjatë gjithë këtyre muajve.
Pra lajmi i parë i mirë është braktisja totale. Dëshpërimi ishte në shprehjen e fytyrës. Kjo ishte dita e fundit politike e Berishës në Shqipëri. Fatmirësisht, pjesa dërrmuese e demokrateve nuk ju përgjigjen skenarit të dhunës. Asnjë nga objektivat që i kishte vendosur vetes nuk u realizua” tha Basha./