Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me akuzat se bashkë me Ramën kanë bërë pakt për portin e Durrësit. Basha u shpreh se kjo është një gënjeshtër e pastër duke shtuar se demokratët janë të prerë për të kërkuar transparencë për të gjitha investimet në këtë port.

“Projekti i portit të Durrësit. Një nga arsyet kryesore pse sharlatanët ecin para në politikë është se i bëjnë njerëzit të mos mendojnë. I ushqejnë si fëmijët në çerdhe. Merre, merre. Nuk logjikojnë. Është ngritur një gënjeshtër sikur unë dhe Rama kemi pakt për portin e Durrësit. Kjo është një gënjeshtër e pastër. Ne kemi qëndruar të prerë për transparencë. Ne duam të shohim shumë para të investohen. Por ka një ndryshim miqtë e mi. Do ta përmbledh me diçka që e kam përjetuar vetë.

PD është pro zhvillimit që nuk dëmton asetet shekullore të Durrësit. Që të bëhet kjo, nuk duhet sjellë një sheik. Thanë do sjellin një sheik për të bërë kullën Al Habibi, Ka përplasje të banorëve me FNSH që duan t’i prishin shtëpitë. Kjo nuk është tokë pa zot. Ju e dini që projekti i zhvillimit është konkurrenca. Në qytetin ku kam studiuar është një qytet i vjetër. Pati një projekt që ndërthurte dy aspekte”, deklaroi Basha.

Ndalur te kandidati Luan Hoti, Basha u shpreh se ai nuk ka nevojë për prezantim pasi vjen nga Durrësi.

“Hoti në qytetin e tij nuk ka nevojë për prezantim.  Pandemia është një grusht i rëndë në brinjët e Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare. Kemi qenë në mesin tuaj qoftë në zonën urbane, zonën industrial jo thjesht për të evidentuar dëmin por për të kërkuar marrjen e masave te menjëhershme. Le të flasim për potencialin që Durrësi ka. Nuk janë vetëm sytë e durrsakëve por sytë e gjithë shqiptarëve. Durrësi ka qenë dhe mbetet zilia e vendit tonë. Durrësi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë”, tha ai.

Çfarë tha Berisha:

Kush është kandidati i Bravës në Durrës? Është njeriu që ka monopolin e shërbimeve të porteve nga Saranda deri në Shëngjin, nga Edi Rama. Ju garantoj se ose i ka dhënë një valixhe me euro, ose pastaj është shitur krejtësisht tek ai, se ndryshe s’do të ndodhte kurrë, sepse monopoli është i paligjshëm dhe qeveria nuk mund ta japë. /abcnews.al